
Humbja ndaj Lushnjes në transfertë nuk ka lënë shije të mirë te Shkumbini. Peqinasit u mposhtën 2-0 nga skuadra që kryeson Grupin B në Kategorinë e Parë, ndërsa në kampin e skuadrës së Shkumbinit ka pasur rezerva me gjykimin.
Pas ndeshjes, trajneri i peqinasve, Sokol Branica ka qenë mjaft i revoltuar me gjyqtarët: “Erdhëm në Lushnje me objektivin për të marrë një barazim. Ndaj e rreshtova ekipin me detyra të qarta taktike mbrojtëse.
Mendoj se do t’ia kishim arritur qëllimit nëse arbitri Kaimi nuk do të na penalizonte me një penallti totalisht inekzistente. Ky arbitër nuk u mjaftua me kaq në njëanshmërinë e tij në favor të Lushnjes.
Kjo pasi na penalizoi një futbollist me karton të kuq për 'çorbën' që ai vet e gatoi. Lushnja e udhëheq me meritë grupin tonë dhe nuk ka nevojë për penallti komike si kjo për t’u ndihmuar nga gjyqtarët”, deklaroi për mediat, trajneri i Shkumbinit pas humbjes ndaj Lushnjes.