
Zlatan Ibrahimoviç është padyshim një nga lojtarët që ka shkruar me të arta emrin në futbollin ndërkombëtar. Ish sulmuesi suedez ka zbuluar detaje interesante nga karriera e tij.
Ai ka treguar në autobiografinë e tij “Adrenalinë” se çfarë i kishte ndodhur gjatë kohës kur ishte pjesë e Manchester United.
Ish lojtari i anglezëve ka treguar se United i kishte zbritur 1 paund nga paga pasi kishte pirë një lëng në një nga mini-baret e hotelit.
“Një gjë më befasoi: të gjithë mendojnë për Unitedin si një klub të madh, një nga më të pasurit dhe më të fuqishmit në botë dhe nga jashtë kështu më dukej. Por, sapo isha atje gjeta një mentalitet të vogël, të mbyllur.
Një ditë isha në hotel me ekipin para një ndeshje. Kisha etje kështu që hapa ‘mini-barin’ dhe piva një lëng frutash. Ne luajtëm dhe më pas shkuam në shtëpi. Kaloi pak kohë. Më vjen fletëpagesa. Normalisht nuk e shikoj. E bëj këtë vetëm në fund të vitit për të parë hyrje-daljet. Por, atë herë, nuk e di pse, isha kurioz dhe kuptova se më kishin hequr një paund nga paga mujore”, ka thënë ai.