Red Sea Global (RSG), kompania e zhvillimit të pasurive të paluajtshme ka konfirmuar se legjenda e futbollit Cristiano Ronaldo dhe e fejuara e tij, Georgina Rodriguez janë bërë pronarë banesash në Nujuma, një Ritz-Carlton Reserve Residence.
Këto prona janë pjesë e koleksionit The Red Sea Residences, i cili përfshin shtëpi ultra-luksoze të markuara, të vendosura në një nga pjesët ishullore më ekskluzive në botë. E vendosur rreth 26 kilometra larg bregdetit dhe e aksesueshme vetëm me varkë çarter ose hidroavion, Nujuma, një Ritz-Carlton Reserve, ofron një nivel privatësie që pak destinacione në botë mund ta rivalizojnë.
Me vetëm 19 vila ultra-private, resorti dhe rezidencat kombinojnë dizajnin e klasit botëror me shërbim të personalizuar, në një mjedis natyror të ruajtur. Një ambient i cili sipas Ronaldos, ishte i vetmi vend i cili iu dhuroi paqen që kërkonin prej kohësh. Dyshja mjaft simpatike po jeton "mbi re" me dashurinë e tyre, kujtojmë këtu dhe dasmën e cila do jetë këtë verë.
"Deti i Kuq është një vend vërtet i jashtëzakonshëm. Që nga momenti që e vizituam për herë të parë, unë dhe Georgina ndiem një lidhje me ishullin dhe bukurinë e tij natyrore, është një vend ku ndihemi në paqe. Tani që kemi një shtëpi këtu, mund të shijojmë kohë cilësore me familjen në privatësi dhe qetësi të plotë sa herë që të duam", është shprehur ylli portugez.
E vendosur brenda projektit The Red Sea, një destinacion pionier i turizmit, Nujuma ndodhet në një nga lokacionet më unike në botë.
