
Një ditë para derbit, presidenti Gaz Demi ka folur sërish për atmosferën pozitive që mbizotëron te kampionët. Kreu i klubit të Partizanit s'ka lënë pa përmendur as humbjen në Ballsh, loja e së cilës i ka lënë shije të hidhur.
Për Abc News, Demi ka deklaruar se dhe ai vetë s'mund të tallet me fanelën e kuqe. Në fund ka dy fjalë edhe për trajnerin Lerda, teknikun italian që ka ndarë në dy fronte analistët.
DERBI - "Si gjithmonë pres që të fitojmë. Dëshira është të fitojmë, megjithatë rezultatin e përcakton 90 minutëshi dhe si do paraqiten çunat në fushë, gjithsesi dëshira ime është të fitojmë".
BYLISI - "Në ndeshjen me Ballshin, pjesa e dytë ishte, mund të them realisht masakër. Kam folur edhe me çunat, ata bëjnë edhe justifikimet e veta, jo fusha, terreni, ç'rëndësi ka, por ishte një Partizan që më la shije të keqe. Mendoj ta kemi mbyllur atje, sepse ekipi i ka të gjithë kushtet. Edhe stolin e kemi më të fortë se vjet. Sot isha tek ekipi, ishin entuziastë, shpresoj që të shkojë me sukses".
DISIPLINA - "Çdo ndërmarrje punon me disiplinë. Nuk mundemi që me fanellën e Partizanit të bëjmë çfarë të duam. As unë vetë që jam pronari dhe presidenti nuk mund të bëj ç'të dua me atë fanellë. Është një fanellë që ka shumë peshë mbi supe. Është historia e Shqipërisë, siç janë dhe disa ekipe të tjera, por ndër to është edhe Partizani. Lojtarët ndoshta janë të rinj, janë këta grupimi i menaxherëve, që për opinionin tim janë içik 'llapa llapa' shumë".
LERDA - "Edhe një person jashtë trajnerllikut, për t'u ambientuar në një ambient do kohën e vet. Mendoj se futëm një risi. Këtë e gjykojnë teknikët. Nuk jam entuziast aty ku mendoja për investimet që kemi bërë, por shoh që frymë e bashkëpunimit është serioze".