
Ish trajneri i Tiranës, Mirel Josa, në sezonin e kaluar ku përmes paraqitjeve të dobëta mori edhe shkarkimin nga klubi, së fundmi ka marrë një post të rëndësishëm në klubin bardheblu të Prishtinës në Kosovë.
Josa është zyrtarisht drejtori sportiv i FC Prishtinës. Lajmi është bërë i ditur nga klubi kosovar, përmes faqes zyrtare në "Facebook".
Ejupi dhe Josa kanë nënshkruar edhe kontratën që i lidh bashkë për një vit me mundësi rinovimi.
Publikimi i plotë në faqen e Prishtinës:
“Normalisht, kur më është bërë propozimi nga kryetari Ejupi për të ardhur për ta ndihmuar situatën në klubin e Prishtinës dhe për të sjellë një situatë më të mirë për klubin, unë tregova i gatshëm dhe jo për faktin se unë isha i lirë, por sepse dua të bëjë një gjë më ndryshe jashtë vendit tim, pavarësisht se brendapërbrenda Shqipërisë jemi. Do të mundohem që me të gjitha mundësitë e mija të ndihmoj komplet klubin në plotësimin e objektivave që ka. Gjithçka të jetë reciproke, sepse unë kështu jam mësuar të punoj në çdo klub që kam qenë dhe në këtë mënyrë të bëjë punën në vazhdimësi”, citohet Josa nga klubi kosovar”, – tha Josa për faqen zyrtare të klubit kosovar.
“E kam përcjell skuadrën e cila ka lojtarë cilësor brenda. Unë njihem edhe me trajnerin Thaqi, sepse e kemi kryer sëbashku kursin e UEFA Pro dhe kam mendim shumë të mirë për Arsimin. Nuk do t’i ndërhyj në punën e tij si trajner”, tha Josa.
Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, u shpreh: “Me ardhjen e Josës ne besojmë që do të forcojmë organizimin tonë, duke e marrë parasysh që Mireli është prej trajnerëve të dëshmuar dhe besoj që eksperienca e tij në kampionatin shqiptar dhe gjithashtu paraqitjet në arenën ndërkombëtare me Skënderbeun do të na ndihmojë shumë në të ardhmen që Prishtina të arrijë aty ku e ka vendin”.