Korabi tashmë ka prerë biletën për të zbritur një kategori më poshtë, teksa gjendet në vendin e fundit me 12 pikë. Ekipi dibran e nisi këtë sezon si pretendent për të qëndruar mes më të mirëve, por vështirësia e Superiores e bëri të pamundur objektivin e tyre. Tashmë kanë mbetur edhe 6 javë për t’u mbyllur kampionati, dibranët vijojnë përgatitjet për të mbyllur siç i ka hije këtë sezon.
Lojtarët stërviten nën urdhrat e Artion Poçit, ndërkohë që sot pas seancës stërvitore Ardit Peposhi ka postuar një foto ku shfaqet në makinën e tij. Në sy bie komenti i kapitenit, Sokol Mziut, i cili e pyet: “A kemi grumbullim sot”. Sulmuesi i dibranëve ia kthen në formë batute: “Skuadrat e mira grumbullohen tre ditë para”.