
Arbnor Fejzullahi është emri më i përmendur te Partizani. Mbrojtësi nga Presheva nuk pranon të luajë për të kuqtë, edhe pse kontrata e tij përfundon vitin tjetër. Situata është shumë e paqartë, pasi drejtuesit e klubit deklarojnë që ai shumë shpejt do t'i bashkohet skuadrës, ndërsa vetë lojtari nuk e pranon diçka të tillë. I kontaktuar nga newsport.al, Fejzullahi ka deklaruar që akoma nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.
"Unë akoma s'kam vendosur për të ardhmen time. Për momentin nuk ka asgjë", deklaroi Arbnor Fejzullahi.
Fejzullahi ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm te ekipi i Partizanit sezonin e kaluar, teksa u shpall dhe për dy muaj rresht si lojtari më i mirë i muajit. Pas largimit të tij nga skuadra, ekipi i kuq ka pasur probleme në repartin e djathtë të mbrojtjes.