Familja Tafaj ka ndarë këtë mëngjes lajmin e trishtë për vdekjen e politikanit dhe qytetarit model Arben Tafaj. Kryetari i Shoqatës Tirana ka qenë në ambientet e shtëpisë së tij kur është rrëzuar aksidentalisht në shkallë dhe ka ndërruar jetë.
Për vdekjen e Arbet Tafajt, ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Presidenti Duka e përshkruan Tafajn si një politikan dhe atdhetar të spikatur. Ndër rreshta, Duka thekson se politikani do t’i mungojë shumë gjithë shoqërisë shqiptare.
Postimi i Armand Dukës:
Ndarja e papritur nga jeta e Arben Tafajt më ka hidhëruar pa masë. Humbëm një mik të mirë, një qytetar model që ka dhënë kontribute të paçmuara për vendin e veçanërisht për komunitetin tiranas, të cilit i shërbeu pa pushim dhe me shumë dashuri.
Arben Tafaj ishte një politikan dhe një atdhetar i spikatur, që do të na mungojë shumë neve, miqve të tij, por edhe shoqërisë shqiptare. Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Tafaj, miqve dhe të afërmve.
Do ta kujtojmë gjithmonë me shumë respekt. U prehsh në paqe Ben!