
Edhe pse në moshën 39-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon që të jetë një nga protagonistët kryesorë në futbollin ndërkombëtar. Ylli portugez nuk ka të ndalur, teksa po thyen rekorde si me Al Nassr dhe Kombëtaren e Portugalisë.
Së fundmi, është partnerja e tij Georgina Rodriguez e cila ka folur për CR7-tën dhe kalimin e tij në Arabinë Saudite. Georgina thotë se mezi priste largimin nga Manchester dhe se ishte tepër e lumtur me transferimin te Al Nassr.
“Kur Cris më tha se do të transferohej te Al Nassr, unë u ndjeva shumë e lehtësuar sepse mezi prisja të largohesha nga Manchester. E dija që na prisnin gjëra të mëdha dhe ishim të gjithë super të motivuar. Isha shumë e lumtur që do të zhvendoseeshim në Arabinë Saudite”, tha fillimisht Georgina.
Ndër të tjera, bukuroshja flet edhe për karrierën dhe pasionin e CR7-ës për futbollin. Madje, në batutë e sipër, Georgina thotë se Cristiano do të pensionohet në moshën 50-vjeçare.
“Është e pabesueshme edhe sot të shohësh sesi futbolli ende e motivon atë si ditën kur e takova. Ai gjithmonë dëshiron që të japë gjithçka. Kur njerëzit më pyesin se kur do të pensionohet Cristiano, i them që do të tërhiqet kur të jetë 50 vjeç”, tha Georgina Rodriguez.