
Granit Xhaka vetëm 2 ditë më parë u zyrtarizua te Sunderland në Premier League. Mesfushori shqiptar u rikthye në Angli vetëm pas 2 vitesh dhe nis kështu një tjetër aventurë të re në karrierën e tij.
E padiksutim që për arritjet e shqiptarit është mjaft krenar dhe i lumtur babai i tij. E në një moment shumë të rëndësishëm dhe special për Granitin nuk mund të mungonte një urim prej zemre nga babai.
Ragipi mjaft i emocionuar dhe krenar për Granitin shkruan se gjithmonë zgjedh rrugët e vështira dhe sfidat, pasi vetëm kështu bëhet një legjendë dhe tregon se është një lojtar i madh. Ndër të tjera ai i uron të birit shumë fat dhe suksese në kapitullin e ri.
“Mesazh nga zemra për djalin tim, Granit Xhaka
Granit, nga zemra, babi të uron shëndet, fat dhe shumë suksese në kapitullin tënd të ri!
E dimë të gjithë: në çdo ekip ku ke luajtur, ke qenë i pazëvendësueshëm, lider, dhe kapiten me zemër.
Shumë oferta kanë ardhur – ekipe të mëdha të kanë kërkuar – por ti, luani im, zgjodhe Premier League, ligën më të fortë në botë. Dhe e dimë pse: sepse ti nuk kërkon rrugë të lehta, por sfida të mëdha, aty ku bëhen legjendat!
Je rritur me punë, me sakrificë dhe me shumë zemër.
Ke bërë krenar jo vetëm familjen, por edhe krejt shqiptarët anembanë botës.
Tani, edhe njëherë, do t’ju tregosh të gjithëve se je lider i lindur, i pathyeshëm, dhe gjithmonë i denjë për më të mirën!
Zoti të bekoftë, luani im.
Të dua dhe do jem gjithmonë krenar me ty”, ka shkruar babai i Granitit.