Andi Lila nuk e ka ndërmend që të ndalet në investime jashtë fushës së futbollit, por që lidhen ngushtë me këtë sport. Pas krijimit të ekipit “Triumph” në Kamëz, ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është gati për një tjetër “bum”.
Gazeta e njohur greke “Proionos Logos” ka raportuar së fundmi se Lila së bashku me një biznesmen shqiptar, janë gati që të blejnë aksionet e klubit PAS Janina, e cila ishte pjesë e Kategorisë së Parë në Greqi, liga e dytë për nga rëndësia në futbollin helen, por dështoi.
Vetë 40-vjeçari ka mbajtur veshur fanellën e këtij ekipi, nga viti 2015 në atë 2019. Ndërsa tani, duket se është gati të rikthehet, por si pronar i klubit. Ndërsa emri i bashkëpunëtorit të tij, pra biznesmenit shqiptar, ende s’është bërë i ditur.
Nga sezoni i ardhshëm, PAS Janina do të militojë në kategorinë e tretë të Greqisë. Ndërsa interesimi i Andi Lilës dhe ortakut “fantazmë” mbetet të shihet nëse do të mbetet vetëm i tillë, apo do të ketë hapa konkretë drejt blerjes së klubit.
