
Një debat ndezi studion e emisionit ‘Rubrika Sportive’ të moderatores Albana Bejko në RTSH mbrëmjen e djeshme. Gazetari Gjergji Stefa 'zuri ngushtë' me ndërhyrjet e tij, ish-arbitrin Klajdi Kola i cili po bënte moviolën e derbit Partizani – Tirana.
Zanafilla e debatit ishte nga Kola që nisi fjalën e tij duke referuar gabimisht një shprehje të Stefës ku sipas atij kishte thënë se ‘arbitrat shqiptar nuk janë të nivelit europian’. I menjëhershëm përgënjeshtrimi i gazetarit që korigjon duke rikthyer në mënyrë të saktë opinionin e dalë nga ai.
“Po ndërton një retorikë në bazë të një gjëje të referuar gabim. Kam thënë se gjyqtarët shqiptarë nuk po mësohen me nivelin e gjykimit të lartë europian ku ka më shumë lirshmëri. E thënë në gjuhën popullore, ‘ta bëjnë lojën bilbil’”, shprehet Stefa.
Kola: Statistikat nuk flasin kështu...
Stefa: Statistikat i bëjmë si të duam ne. Më thuaj sa faulla ka mesatarisht në ndeshjen Manchester City – Arsenal dhe sa ka në derbin Partizani – Tirana?
Kola: Këtë javë ka ndërhyrë vetëm një herë sistemi VAR.
Rama: Si do ndërhyjë VAR-i kur arbitri nuk len që të shkoi topi te zona?
Kola: Kemi mesatarisht 35 faulla për ndeshje dhe 5 kartona të verdhë. Gjykoj që është një mesatare shumë e mirë. Në Champions League janë 22-27 faulla për ndeshje, në kampionatin shqiptar 30-35.
Stefa: Si janë 30 faulla një mesatare e mirë? Duhet të ketë më pak.
Gjatë moviolës së derbit, Klajdi Kola analizon një moment ku Edison Kola ndërhyn në kufij të hyrjes në zonë ndaj Tedi Carës dhe sipas ish-arbitrit ka patur pretendime se faulli ka qenë brenda zonës. Kjo është kundërshtuar menjëherë nga gazetari ku thotë se askush nuk pati pretendime.
Stefa: Askush nuk pretendoi gjë, mos ndërto hipoteza të kota. Kur thua u pretendua për 11-metërsh, kush pretendoi? Nuk e kërkoi njeri...
Kola: Në stadium është pritur dhe ndërhyrja e sistemit VAR për të parë nëse ishte brenda apo jashtë zonës. Arbitri veproi drejtë, aty nuk ka faull pasi kishte kontakt me topin.
Stefa: Si nuk paska faull, aty është faull dhe karton i verdhë.
Kola: Unë tani jap argumentin tim...
Stefa: Po ti je pjesë e debatit, ne debat do bëjmë. Lojtari është komplet i painteresuar për topin dhe godet kundërshtarin nga prapa duke e rrëzuar.
Kola: A e ka prekur topin?
Stefa: Ti mund ta hedhësh edhe tjetrin përpjetë edhe prek topin, por është faull përpara.
Stefa më pas i drejtohet me një pyetje ngacmuese:
“Këto raste ti i zgjedh kur bën mirë gjyqtari apo kur nuk bën mirë? Se kur gjyqtari bën mirë, për çfarë i sjell rastet?”