
Babai i Martin Canit, Angel Cani ka thyer heshtjen dhe ka folur për vrasjen e djalit të tij, pas një sherri me disa bashkëmoshtarë pranë shkollës “Fan Noli”.
Një një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ai tregoi momentin e parë që mori vesh lajmin e trishtë. Ai tha se e mori në telefon policia dhe i thanë qëe djali i tij është në spital dhe pas gjysmë orë mori vesh që i biri nuk mundi dot të mbijetojë.
Me lot në sy ai tha së është i tronditur nga ngjarja dhe se ende nuk e beson që diçka e tillë mund t’i ndodhte të birit në derën e shkollës.
“Mësuesja më tha Martini është te ‘Trauma’. Vajta aty, më thanë është në sallë të operacionit. Më thirrën pas gjysmë ore me shpresë se do të kishte vetëm një plagë thike, kurse moshatari i vet gjashtë thika. Por, pas gjysëm ore më thanë Martini nuk mbijetoi sepse kishte një thikë në zemër. Bota më ra përmbi kokë!
Pak më pare kisha mësuesen e Martinit dhe po më tregonte se ishte model, shembullor, një njeri që e donte e gjithë shkolla, e gjithë lagjia këtu. Pyet çdo njeri që e njeh Martinin, ishte lider i vërtetë, humorist i vërtetë, nuk kam fjalë ta përshkruaj”, tha Cani.
I pyetur për autorin e krimit, ai tha se nuk e njeh as atë dhe as familjen e tij dhe se deri më tani askush nuk ka kërkuar falje.
“Unë as nuk e njoh, as i kam mësuar emrin as nuk e di kush është, ku është dhe cili është, nuk kam asnjë lloj ideje. Të jem i sinqertë nuk kanë ardhur, asnjë lloj ngushëllimi, asnjëlloj falje, asnjë informacion nuk kam. Ndoshta nuk kanë kurajo, mund të ndihen fajtorë. Nuk besoj se ka njeri që do që djali i tyre të bëhet kriminel
Çdo prind nuk e do djalin ta ketë kriminel. Ata kanë qenë moshatarë, fajësoj dorën që e vrau. Kë të fajësos? Ajo dorë i mori jetën djalit tim, ëndrrat. Nuk dua ta kthej politike, unë i përkas thjeshtësisë dhe paqes, erdha të ndërtoj shtëpi dhe familje, erdha me mall për atdheun, të jetoj këtu. Më lindën dy cuna, dy yje, njërin ma mori Zoti, më mori zemrën”, tha Cani.
Ëngjëll Cani rrëfeu edhe takimin e fundit me të birin.
“Luajti një ndeshje me Kavajën, më tha luajta shumë mirë, do të bëhem futbollist me Kombëtaren. Më tha do të më marrë xhaxhi me vete sepse e kemi gjysmën e familjes në Amerikë. Xhaxhai i ushqente që do të marr në Amerikë për shkollë. Këto ëndrra kishte ai djalë. Ai flinte me topin, kishte qejf të bëhej si Cristiano Ronaldo se luante si sulmues i majtë, pastaj kaloi mbrojtës i majtë dhe thoshte do bëhem si Mario Mitaj, jam më mirë mbrojtës se kontroll lojën, ekipin, iu bërtas”, tha Cani.