
Tre shqiptarë kanë rënë në prangat e autoriteteve italiane si të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. Dy prej të arrestuarve janë vëlla e motër, të lindur në 1997 e 2004, ndërsa personi i tretë i përket datëlindjes së vitit 1982.
Këta persona kishin fshehur në kamion 172 kilogramë kokainë, teksa prej kohësh kanë qenë nën vëzhgimin e autoriteteve të Bolonjës dhe Modenës.
Autoritetet kanë ndërhyrë në një moment kur shoferi i kamionit (personi i lindur më 1982) i ka dhënë në dorë një zarf të verdhë të rëndë dy personave të tjerë (vëlla e motër). Tre shqiptarët janë arrestuar në flagrancë ndërsa u sekuestrua e gjithë ngarkresa e kokainës e fshehur në kamion e ndarë në pako gati për tu shitur.
Ajo që ka rënë në sy është përdorimi i logos së skudarës së futbollit të Tiranës “Kf Tirana” në disa prej pakove të kokainës, ndërsa disa të tjera ishin mbështjellë me figura të ndryshme.
Kjo ndarje e pakove të drogës, është një metodë e përdorur vazhdimisht nga grupet e përfshira në tregun e kokainës, për të dalluar se kujt i përkasin sasi dhe ngarkesa të caktuara.