Lazio-Torino ishte sfida e javës së 25-të të Serie A që u luajt mbrëmjen e djeshme. Ky takim ishte parashikuar të luhej muaj më parë, por Torino kishte shumë raste me Covid-19 dhe nuk udhëtoi drejt Romës.
Ndeshja u mbyll në barazim 0-0, ndërsa Torino shpëtoi zyrtarisht duke qendruar në Serie A. Pas ndeshjes kanë shpërthyer akuzat, sulmuesi i Lazio, Ciro Immobile përmes një postimi në rrjetet sociale ka akuzuar Urbano Cairo, presidentin e Torinos që e ka ofenduar në dhomat e zhveshjes.
“Të gjithë e dinë kush është Ciro Immobile. Brenda fushës, dhe veçanërisht jashtë. Unë mund të pranoj kritika ndaj lojtarit, jo ofendime serioze e shpifëse ndaj njeriut që jam. Sidomos nëse këto të fundit vijnë nga njerëzit e botës së futbollit.
Në fund të ndeshjes, Presidenti i Torinos Urbano Cairo hyri në dhomën e zhveshjes së Lazios dhe filloi të më ofendonte duke më sulmuar verbalisht. Më është drejtuar me akuza të rënda shpifëse, duke më thënë se kam luajtur ndeshjen shumë seriozisht dhe gjëra të tjera në lidhje me ndeshjen e parë të luajtur kundër Torinos, madje ka shkuar aq larg sa më akuzoi që kam luajtur atë ndeshje duke qenë pozitiv me COVID.
Unë kurrë nuk do të ndalem së falënderuar Presidentin Cairo që më dha mundësinë të luaj në Torino si një futbollist, por nuk mund të anashkaloj një episod që shkon përtej dimensionit të futbollit. Të gjithë e dinë kush është Ciro Immobile; një futbollist, po, por mbi të gjitha një njeri i respektueshëm për rregullat dhe parimet e besnikërisë . Unë nuk mund të toleroj fyerje dhe shpifje për personalitetin tim pa ndonjë arsye të vlefshme “.
Pas kësaj deklarate nuk ka munguar as kundërpërgjigja e Urbano Cairo. Presidenti i Torinos mohon këto akuza, ndërsa tregon se cili është Immobile.
“Ciro Immobile më sulmoi nga profili i tij në Instagram pas ndeshjes me Lazion. Unë iu përgjigja postimit të tij dhe e botova edhe këtu tekstin. Ciro Immobile më akuzon se jam përballur me të në fund të ndeshjes dhe pretendon se të gjithë e dinë kush është Ciro Immobile. Epo… edhe unë e di kush është Ciro Immobile.
“Një futbollist i cili erdhi në Torino pas një kampionati zhgënjyes në Genoa për t’u rikthyer në formë. Ventura i besoi atij dhe ai bëri mirë me Toron. Mendova se ai me kënaqësi do të qëndronte të paktën edhe një vit tjetër, por Ciro Immobile, nga ana tjetër bëri namin për të shkuar në Borussia Dortmund. Ai pati një sezon tjetër zhgënjyes dhe Borussia e huazoi atë te Sevilla. Edhe atje, Ciro Immobile, nuk shkoi mirë dhe më pas më telefonoi dhe më kërkoi që të kthehet në Torino. Unë, që e doja aq shumë, e pranova. Ai nuk bëri një sezon shumë të mirë, por unë, që u kujdesa shumë për të, gjithsesi do të doja t’i blija kartonin. Por ai, Ciro Immobile, nuk më thirri personalisht këtë herë, por e bëri përmes agjentin e tij duke më thënë se për arsye personale nuk mund të qëndronte në Torino.”.