
Mbrojtësi i djathtë i Chelseat Cesar Azpilicueta mund të përfundojë jashtë londinezëve gjatë merkatos së janarit. Tekniku i "Bluve" Maurizio Sarri preferon në krahun e djathtë të mbrojtjes Elseid Hysajn, i cili së fundmi ka ngjallur interesimin e Interit. Duke parë rezultatin negativ në takimin e fundit me Arsenalin, ku Chelsea u mposht me rezultatin 2-0, klubi anglez po shqyrton mundësinë e përforcimit të prapavijës, e cila nuk ka bindur shumë këtë sezon. Për më tepër Azpilicueta ka përparësi në sulmin e ekipit ku organizon aksionet sesa në thyerjen e sulmeve të skuadrave kundërshtare.
Marrëdhënia shumë e mirë gjatë kohës kur Sarri punoi te Napoli me Hysajn dhe përshtypjet pozitive që i ka lënë shqiptari mund të ndikojnë fort në transferimin e 24-vjeçarit kuqezi nga Napoli në Londër. Pas fitores me Lacion, qëndrimi i Hysajt në Itali është vënë në dyshim pasi nuk konsiderohet më i paprekshëm në formacionin titullar. Te Chelsea ai do të ketë përkrahjen e pakushtëzuar të Sarrit.