
Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur në Kosovë. Stadiumi i klubit Dardanët në Gjakovë i ka dalë pronari, i cili në një ditë të vetme e ka lëvruar atë, gati për ta kthyer në një tokë bujqësore.
Një ngjarje e tillë është denoncuar në "Klan Kosova", ndërsa drejtuesit e klubit Dardanët kishin vendosur edhe shpallje për praninim e futbollistëve të rinj.
Baza materiale ka qenë gati, futbollistët e rinj po ashtu, por nuk iu kanë besuar syve teksa kanë parë tapetin e stadiumit të kthyer në fushë të lëvruar, gati për nisur procesin e mbjelljes.
"Klan Kosova" ka kontaktuar me familjarët e Prek Gjokaj, i cili dyshohet se ka bërë këtë veprim. Ata kanë deklaruar se kanë marrë tokën në shfrytëzim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ende nuk ka pasur një shpjegim zyrtar se përse ky stadium u dha në shfrytëzim, ndërkohë që përdorej nga klubi i futbollit Dardanët.