Antonio Kasano do të jetë shumë shpejt një futbollist i lirë. Sipas “Gazzetta dello Sport”, sulmuesi barez do të ndërpresë gjatë orëve në vijim, kontratën me Sampdorian.
Dy janë mundësitë për Kasanon sipas prestigjiozes italiane: Të lërë futbollin, ose të vlerësojë ofertat në adresë të tij brenda Italisë.
Prej kohësh, Antonio Kasano stërvitet me ekipin e të rinjve të Sampdorias, pas sherrit me drejtuesit e klubit.
Pak ditë më parë, u trumbetua me të madhe se Kasano mund të firmoste për Flamurtarin, por një gjë e tillë u duk një “utopi”.
Dhe e tillë rezulton tani, që “Gazzetta dello Sport” zbulon se ish-sulmuesi i Romës, Real Madrid, Milan e tjerë, do të “varë këpucët në gozhdë” nëse nuk luan në Itali.