
Krahas Renaldo Kalarit, në konferencën e zakonshme për shtyp të Partizanit ka dalë edhe mesfushori Bruno Telushi.
Vlonjati i të kuqve ka prekur një sërë temash në prag të takimit me Teutën. Nga humbja në derbi e deri te largimi i Asanit, Bruno Telushi i thotë hapur të gjitha.
"Të them të drejtën, as i lehtë nuk është. Mos ta bëjmë më të vështirë seç duhet. Janë dy humbje radhazi, që kishte kohë që Partizani nuk i provonte. Ekipi dinte të reagonte gjithmonë pas një humbjeje. Mendoj se është një moment ku duhet të tregojmë veten sa të fortë jemi si grup dhe si ekip.
Lerda? Kjo pjesa e shkarkimit i takon klubit, që bëri zgjedhjen e vete. Për ato krisjet, çfarë kanë qenë, apo çfarë kanë dalë në media, mendoj t'i vëmë kapakun këtu dhe të mos shohim më mbrapa. Ajo që iku, iku. Trajneri Lerda e mbylli dhe unë i uroj suksese. Nuk dua të kthehem mbrapa, tek ato që kanë ndodhur.
Kukësi? Normalisht që është e rikuperueshme. Janë shumë ekipe afër. Siç na kapën të tjerët ne, edhe ne mund t'i kapim.
Teuta? Nuk ishte befasi ai barazim. Ne bëmë një ndeshje të mirë, edhe me 10 lojtarë. Do jetë një ndeshje e vështirë, pasi edhe ata vijnë nga një humbje. Them se do të jetë ndeshje e vështirë. Nuk duam ta marrim këtë ndeshje si jetë a vdekje. Do mundohemi të japim maksimumin tonë dhe nëse ndodh kjo, atëherë ndeshja bëhet shumë e lehtë. Ne e dimë forcën e grupit. Nëse japim maksimumin, atëherë nuk kemi çfarë i kërkojmë më vetes.
Ana psikologjike? Është e mirë. Pavarësisht asaj që ndodhi në derbi. Nuk ishte e lehtë. Pasi kishim kaq shumë kohë që nuk humbnim. E kemi lënë pas atë ndeshje dhe po mendojmë për të radhës. Nuk kam frikë nga ndeshja e radhës. Unë kam këtë karakter. Nëse ke frikë, më mirë mos shko fare në luftë. Frika duhet lënë pas dhe të shkosh të bësh ndeshjen tate, të mirë, siç e përgatisim. Frika nuk qëndron aspak tek ne.
Skënder Gega? Normalisht tifozët Gegën do kërkojnë, pasi ai ishte trajneri që nxori Partizanin kampion pas kaq shumë vitesh. Mendoj se pjesa e trajnerit i takon klubit, presidentit. Ai vendos.
Asani? E vërtetë që shkon jashtë Asani. Vlerat e tij kanë qenë shumë domethënëse, e ndihmonte shumë ekipin. Në grup ka edhe lojtarë të tjerë që mund ta zëvendësojë. Grupi është më i rëndësishëm se individi.
Derbi? Ndoshta dilte njëlloj ndeshja, ca gjëra janë edhe të shkruara. Po të isha unë, do jepja maksimumin tim. Mund ta kishim bëtë edhe më të lehtë ndeshjen, pasi e njoh derbin. Kjo është e gjitha".