Presidenti i FSHF-së, Armand Duka së bashku me homologun e Kosovës, Agim Ademi, kanë nderuar figurën e Fadil Vokrrit. Legjenda e futbollit shqiptar do festonte sot ditëlindjen e 62-të, ndërsa ka tre vite që është ndarë nga jeta.
Me kurora me lule dhe të bashkuar, Ademi dhe Duka kanë vizituar shtatoren e Vokrrit në Prishtinë, duke kujtuar ish-kreun e FFK-së. Presidenti i FSHF-së ka thënë se 23 korriku është ditë e rëndësishme për futbollin mbarëkombëtar.

“Kjo datë ka sjellë në jetë një nga legjendat e futbollit dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri. Do të kishim shumë dëshirë që të jetonte më gjatë, por me atë çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij dhe kontributin e dhënë për futbollin, ai, nuk do të vdesë kurrë. Nuk do të vdesë jo vetëm në memorien e komunitetit tonë të futbollit, por edhe në memorien e çdo shqiptari, si një njëri që ka kontribuuar në futboll, si një familjar i mirë por edhe në të gjitha këndvështrimet e tij”, tha Duka.
Kujtojmë se sot në Prishtinë, në stadiumin që mban emrin e Fadil Vokrrit do zhvillohet turneu i veteranëve, ku marrin pjesë ish-lojtarët e Shqipërisë, Kosovës, Prishtinës dhe Llapit.