
Dënimi 10-vjeçar i marrë nga UEFA ka ndryshuar tërësisht situatën te Skënderbeu. Dikur një klub shembull në Shqipëri, ndërsa tanimë ekipi korçar duket se vuan për gjërat më elementare. Të kesh një fanelë të skuadrës që bën pjesë, vitet e fundit s'ka qenë më e vështirë pasi sponsorat teknikë plotësojnë nevojat në bazë të kërkesave të klubeve.
Por, diçka e tillë nuk ekziston më te Skënderbeu. Dje, korçarët luajtën kundër Teutës ndeshje që e fituan me rezultatin 4-1. Ai që ra në sy ishte Eni Imami, i cili u fut në lojë nga trajneri Ilir Daja. Futbollisti i larguar nga Tirana ende nuk ka një fanelë të tijën.
Kësisoj drejtuesit janë detyruar t'i japin atë që mbante kohë më parë Kristi Vangjelin me numrin 32. Edhe pse janë munduar ta fshijnë, duket qartë që te bardhekuqtë nuk ka fanela të reja në dispozicion.