Tërbuni nuk po kalon një moment të mirë, ndërsa pas rënies në Kategorinë e Parë tashmë po pritet përgjigjja e bashkisë së Pukës për vazhdimësinë e skuadrës në sezonin e ri. Duke qenë se aktualisht, ekipi që drejtohet nga trajneri Viktor Gjoni nuk ka shumë lojtarë në dispozicion dhe e ardhmja është në pikëpyetje, tifozët pukjanë kanë krijuar një ekip paralet, një Tërbun të 2-të.
Skuadra e krijuar nga fondet e tifozëve që kanë marrë përsipër këtë nismë ka në përbërje lojtarë nga qytetet dhe rrethinat pranë Pukës. Ekipi "Tërbuni 2" ka dalë së fundmi në stërvitje, përgatitje që po i kryen në stadiumin e qytetit të Pukës. Nga ana tjetër, Tërbuni që drejtohet nga trajneri Gjoni po përgatitet në Tiranë dhe ditën e hënë do të nisë stërvitjet në stadiumin e qytetit, aty ku do të ketë ballafaqim me "Tërbunin 2".
Një gjë e tillë krijon një situatë qesharake, ndonëse nisma e tifozëve pukjanë për t'i dalë për zot ekipit të qytetit të tyre është për t'u përshëndetur për kurajon dhe iniciativën e marrë. Megjithatë, tashmë pritet të shihet se cila prej këtyre dy skuadrave të Tërbunit do të përfaqësojë futbollin pukjan në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.