Brahim Diaz po kalon një super formë për momentin. Lojtari fenomenal ka zgjedhur të përfaqësojë Marokun në arenën ndërkombëtare, pasi fillimisht zgjodhi Spanjën si kombin e tij.
Kjo zgjedhje e futbollistit madrilen ka habitur shumë persona, por ja që ka rezultuar zgjidhje me vend. Në 4 ndeshjet e fundit me kombëtaren afrikano-veriore lojtari teknik ka shënuar 4 gola. Statistika këto mbresëlënëse.
Në ndeshjen për kualifikueset e Kupës së Kombëve të Afrikës, Diaz ka tundur rrjetën 3 herë kundër Lesotos, një vend i vogël brenda territorit të Afrikës së Jugut. Ky është hat-trick i parë që sulmuesi maroken regjistron me fanelën e kuqe.
Kujtojmë, vendi afrikan vitin tjetër e organizon këtë kupë dhe marokenët shpresojnë që Brahimi të vazhdojë të jetë “ylli” i kombëtares së suksesshme në kontinentin tjetër.