
Kosova do të rikthehet në fushë nesër në “Fadil Vokrri” ku do të presë Islandën në ndeshjen e vlefshme për Nation League. Në prag të kësaj përballjeje të rëndësishme, sulmuesi Milot Rashica ka dalë në konferencë për shtyp për mediat.
“Ka qenë koha pak e shkurtër dhe kemi pasur vetëm 2-3 ditë stëtvitje, por të gjithë kanë ardhur në formën më të mirë të mundshme. Është ndeshja e parë, luajmë në shtëpi dhe do të mundohemi të shfrytëzojmë në maksimum përparësinë që kemi, si pritës. Shpresojmë një rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë.
Kualifikimi është ëndrra e çdonjërit prej nesh dhe shpresojmë ta arrijmë sa më shpejt. Çdo ndeshje me Kombëtaren pa marrë parasysh nëse është kualifikuese apo miqësore, shërben për të mirën tonë dhe për të parë se ku jemi si ekip dhe individualisht. Duhet të fitojmë dhe të kalojmë raundin, pastaj do kemi kohë për t’u përgatitur për kualifikime të tjera.
E dimë kualitetin e Islandës, sidomos në ofensivë janë shumë të fortë dhe luajnë bashkë si ekip. Ne më shumë duhet të fokusohemi te kualiteti dhe te loja jonë, sidomos ndeshjet e fundit që kanë zhvilluar djemtë kanë qenë shumë të mira. Besoj se kemi shumë gjëra pozitive për të marrë nga ato ndeshje dhe ta nisim sa më mirë.”, u shpreh Rashica.