
Kombëtarja shqiptare u mposht 2-0 nga Çekia mbrëmjen e djeshme. Një “humbje” që dhemb për kuqezinjtë, por nga krahu tjetër festojnë çekët. Kjo pasi bashkë me Gjeorgjinë bashkëkryesojnë me 6 pikë.
Pas sfidë ka folur trajneri i Çekisë, Ivan Hasek. Ky i fundit në deklaratën e tij ka vlerësuar Shqipërinë, ndërsa ka nënvizuar se kanë shumë cilësi. Skuadra e tij luajti mirë, sidomos në mesfushë dhe kjo sipas Hasek i çoi drejt fitores. Ndër të tjera është shprehur se Çekia kërkon kualifikimin në Kupën e Botës dhe Nations League është një mundësi për të kapur “Play-Off”.
“Luajtëm me ritëm të lartë. Ishim shumë të rrezikshëm përpara dhe luajtëm me shumë përgjegjësi në prapavijë. Mund ta dalloni se sa e vendosur ishte skuadra dhe si donte të arrinte te fitorja. Ne luajmë sërish pas 3 ditësh dhe për shkak të orarit të ngjeshur, sigurisht do të bëj disa ndryshime në formacion. Duhet të them se sistemi me 4 mbrojtës na funksionon dhe po ta dija diçka të tillë më para do të luajë kështu gjithmonë.
Shqipëria ka shumë cilësi, por ne ishim më të fortë se ata në mesfushë, grumbulluam shumë topa të dytë. Do të luhet deri në ndeshjen e fundit, pasi grupi është i balancuar. Qëllimi ynë është të arrijmë Kupën e Botës dhe per këtë Nations League është një mundësi për të arritur në “Play-Off”, është shprehur Hasek.