Barcelona do të luajë në orën 18:30 derbin me Espanyolin, në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të La Liga. Barazimi i Realit të premten përballë Gironës ka afruar më shumë katalunasit me titullin kampion, ku në rast fitoreje të këtyre të fundit, distanca me rivalin e përjetshëm do të shkonte në 9 pikë.
Një ndeshje e një rëndësie të lartë për fatet e kampionatit, por për trajnerin Hansi Flick prioritet mbetet sfida e së martës në Champions në hapin e dytë çerekfinal ndaj Atleticos, ndaj dhe në këtë duel të sotëm pritet të bëjë ndryshime në 11-shen që do të zbresë në fushë për të pushuar lojtarët kyç.
Kështu, Cancelo, Pedri dhe Olmo do ta nisi sfidën nga stoli për t’i ardhur në ndihmë trajnerit Flick vetëm në momentet kur skuadra të ketë nevojë për ta. Në anën tjetër, Balde dhe Kounde do të rikthehen në dy krahët e mbrojtjes, ndërsa sulmi do t'i besohet treshes Yamal, Ferran Torres dhe Rashford.
Mes kampionatit dhe Champions, Flick po tregohet i kujdesshëm në këtë pikë vendimtare të sezonit dhe në luftën për dy trofetë kërkohet përqëndrim maksimal si dhe gjendje sa më optimale e futbollistëve.
