
Real Madrid u jep fund përgatitjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa mbylli këtë turne me fitoren 2-1 ndaj Chelsea. Madrilenët zhvilluar një lojë mjaft të mirë, ku golat e Lucas Vasquez dhe Brahim Diaz do të ishin vendimtarë.
Carlo Ancelotti është i kënaqur me paraqitjet e ekipit të tij, ndërsa theksoi se tashmë skuadra do të nisë të mendojë për Superkupën. Italiani është shprehur se lojtarët janë gati dhe po bëjnë gjithçka siç duhet për ndeshjen e parë të rëndësishme të sezonit, atë ndaj Atalantës.
“Kemi luajtur me një ritëm të mirë dhe ide të qarta, por tani mendojmë për Superkupën. Në 9 gusht, do të nisim të gjithë se bashku të përgatisim ndeshjen me Atalantën, por puna deri tani ka qenë e mirë, me të rinjtë që kanë dhënë kontributin e tij për skuadrën. Për ata ka qenë një eksperiencë e bukur.
Preferuam të evitojmë rreziqet pasi gjëja më e rëndësishme është të arrijmë në formë të mirë për ndeshjen e Superkupës. Lojtarët e tjerë treguan një gjendje të mirë, janë gati për ta përgatitur si duhet ndeshjen me Atalantën. Të shohim si do të kthehen lojtarët e tjerë, shpresoj të jenë në gjendje të mirë nëse kanë punuar mjaftueshëm në shtëpi. Nëse jo do të qëndrojnë të gjithë në stol”, ka theksuar Ancelotti.