
Klubi i Tiranës vitet e fundit ka pasur shumë probleme borxhesh ndaj futbollistëve të papaguar. Presidenti Refik Halili ka shlyer një pjesë të madhe të tyre duke e shpëtuar klubin shpesh nga rreziku i ndonjë dënimi të FIFA-s apo UEFA-s, por Tirana ka dhe një tjetër aksioner të madh, Bashkia e kryeqytetit.
“Panorama Sport” raporton se Bashkia e Tiranës, sikundër ka premtuar, do të akordojë një shumë jo të vogël prej 300 milion lekësh të vjetra për klubin e futbollit bardheblu, një shumë që do të lehtësonte shumë financat e Tiranës. Premtimet e bëra shpeshherë për përmbushje të detyrimeve ndaj klubit nga ana e drejtuesve të Bashkisë, do të ishte e mira të mbaheshin gjatë këtij muaji pasi merkato verore është e hapur dhe për një Tiranë pretendente për titull duhen financa të forta që të afrohen futbollistë cilësorë.