Bernard Berisha ish-mesfushori i Skënderbeut në një prononcim për newsport.al ka folur për karrierën e tij futbollistike. Berisha ka rrëfyer se si po ecën në Rusi, ku tregon që gjithë skeptikët kishin menduar që kishte shkuar për para, por u tregua e kundërta, pasi ekipi rus është rindërtuar dhe ka krijuar një skuadër shumë të mirë. Gjithashtu mesfushori kosovar ka folur edhe për ish skuadrën e tij, kampionët e Skënderbeut, teksa flet me superlativa duke e parë si ekipin më të mirë në Shqipëri.
- Nga Besa, te Skënderbeu dhe tashmë në Rusi. Si po ju ecën karriera?
Shumë mirë. Ndoshta edhe më mirë nga çfarë e kisha menduar. Kam bërë hapa të mëdha përpara, nga Besa tek Skënderbeu dhe tani në Rusi. Shumë kush ishte skeptik në fillim duke më akuzuar që kam shkuar pas lekut dhe do rrëzoheshim nga kategoria, por ne mbijetuam dhe tani kemi ndërtuar një skuadër shumë të mirë. E nisëm mbarë sezonin e ri.
- Keni qenë pjesë e rëndësishme e Skënderbeut, ju mungon kjo skuadër?
Sigurisht që kam kaluar shumë mirë aty. Kam fituar respektin e të gjithëve dhe kam lënë miq pas. Kur rikthehem në Shqipëri, sigurisht Tropikali është vendi ku qëndroj gjithmonë. Më mungojnë kujtime, por jemi profesionistë dhe duhet të shohim përpara.
- Si ju duket ecuria e tij?
E kam thënë edhe më para, Skënderbeu është kampion i padiskutueshëm dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Kjo sigurisht e vështirë për tu kapërdirë nga ekipet e kryeqytetit të cilat nuk po fitojnë prej vitesh, por futbolli sot i tillë është. Fiton ai që investon dhe ai që menaxhon me profesionalizëm.
- E keni ndjekur merkaton korçare, mendoni që do të triumfojnë për të shtatën herë?
Patjetër që po. Filozofia e drejtuesve është të afrojnë futbollistë të rinj. Sigurisht boshti është ruajtur, Shehi, Osmani, Radas, Lilaj, Salihi dhe ndonjë futbollist tjetër dhe janë marrë djem të rinj që vrapojnë.
- Partizani i zuri vendin në Champions, pasi u pezullua nga CAS. Ç'mund të na thoni për këtë?
Vendim që i takon UEFA por unë gjykoj që nuk ishte e drejtë. Sot, Skënderbeu do ishte në grupet e Europa League, jam i sigurtë për këtë.
- Mbani kontakte me ish shokët e skuadrës?
Po patjetër, nuk mund ti harroj miqtë e mi atje. Mbaj kontakt me futbollistët dhe drejtuesit.
- Diçka për t'i thënë Ujqërve të Dëbores? Do të rikthehesh një ditë?
Jetës nuk i dihet asnjëherë. Për momentin mendoj që është e pamundur për arsye se kam një kontratë tre vjeçare në Rusi, po luaj rregullisht dhe jam ende i ri. Jam mirënjohës gjithë jetën Skënderbeut, por nëse kthehem sigurisht që do rikthehem këtu, për të vazhduar seritë e titujve kampion pasi jam i bindur që do të vazhdojnë për shumë vite për të fituar. Ujqërve i them të vazhdojnë të mbështesin skuadrën pasi ato djem janë të mrekullueshëm.