Kosova arriti të merrte një pikë mjaft të rëndësishme në transfertë ndaj Greqisë. Pas dy humbjeve “dardanët” barazuan 0-0 në Athinë duke shmangur një tjetër humbje që do t’I zhyste në krizë. Pas ndeshjes trajneri Challandes u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, ndërsa nuk kurseu kritikat ndaj gjyqtarit të ndeshjes për atë penallti të akorduar ndaj Kosovës.
“Kemi pasur disa probleme në pjesën e parë veçanërisht në krah, sepse kundërshtarët tanë ishin shumë të mirë në ato pozita, por në pjesën e dytë krahët tanë luajtën më shumë në defenzivë dhe ndihmuan skuadrën në mbajtjen e rezultatit.
Problemi im nuk është mbështetja apo jo mbështetja, unë jam i kënaqur sepse skuadra nuk u dorëzua. Unë jam një trajner që më pëlqen loja ofensive, ndonjëher kjo është e mundur e ndonjëher jo, sonte duhej të mbroheshim pak më shumë që të mos humbnim në këtë ndeshje”.
Penalltia? “Nuk isha i kënaqur me vendimin e gjyqtarit, është shumë e rëndësishme për një portier të mbrojë penalltitë dhe t’i jap zemër ekipit, kjo i jep mentalitet më të mirë ekipit që të luftojnë së bashku, dhe të japin maksimumin”.
Skema? “Ishte taktike të luanim me 5 mbrojtës sepse kemi lojtar që luajnë me këtë formacion në ekipet e tyre, nuk dua të luaj lojë në mbrojtje, por sonte kjo duhej të ndodhte. Kjo ishte zgjedhja më e mirë për ndeshjen ndaj Greqisë. Ndoshta do të stërvitemi me këtë sistem ose me 3-4-3”.