Mbrëmjen e djeshme, në emisionin “Pressing” të gazetarit Gerti Çarçani është diskutuar gjatë për ndeshjen mes Kukësit dhe Tiranës që do të luhet sot në 18:00 në “Air Albania”. Në lidhje direkte ishte presidenti i verilindorëve Safet Gjici, që u shpreh se ndaj Tiranës kërkon vetëm fitore dhe ekipi duhet të kishte të paktën 10 pikë më shumë.
Në këtë panel, por nga Maqedonia e Veriut, aty ku trajnon Shkëndijën e Tetovës ishte edhe Ernest Gjoka. Ish trajneri i Kukësit është shprehur se kjo është një ndeshje dinjitoze, duke komplimentuar Kukësin për ecurinë dhe se të gjithë e njohin urinë e Safet Gjicit për suksese. I pyetur se nga cila anë anon, trajneri është shprehur se zgjedh kollaren e Ervin Bulkut, duke nënkuptuar Tiranën.
I menjëhershëm ishte reagimi i Rrahman Hallaçit, që në studio ka treguar se Kukësi i ka besuar Gjokës në kohë të vështira për trajnerin dhe pse Vllazninë e çoi në Kategorinë e Parë. Në këtë debat nuk mund të mungonte as presidenti Safet Gjici, që nëpërmjet një sms-je për gazetarin Çarçani ka thënë: “Nesti do të marrë vetëm kollaren e Bulkut, se Tironën s’ia beson kush, sado elozhe të bëjë. Mosmirënjohësit e mbarojnë shpejt karrierën. Hallaçi e kapi drejt, nuk duhej të shprehej për atë superkarrierë që Kukësi i dha”.
Pak minuta më vonë erdhi edhe reagimi i trajnerit Gjoka, sërish me një sms. “Hallaçi nuk e kuptoi atë që desha të them. E përshëndes Gjicin, Prapë e ngatërroi Hallaçi. Kukësi do të jetë kampion në zemrën time”, tha Gjoka mes të tjerash.