
Luftëtari do të pres në shtëpi Teutën për javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Pas një barazimi të rëndësishëm në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Tiranës. Në prag të ndeshje ndaj durrsakëve ditën e sotme trajneri Ahmataj ka folur për mediat. Trajneri gjirokastrit është shprehur se Teuta është një kundërshtar i vështirë, por nuk e mbivlerësojnë.
"Teuta është një skuadër shumë e fortë, ka pretendime madhore në këtë kampionat dhe do vlerësim maksimal, por jo mbivlerësim. Në një ndeshje futbolli ka hapësira pa fund dhe duhet të bësh gjithçka për t'i shfrytëzuar këto hapësira.
Mendojmë gjithmonë për të fituar, në çdo ndeshje. Nuk ka rëndësi kundërshtari që kemi përballë. Kjo moto na udhëheq çdo ditë të stërvitjes dhe në çdo ndeshje. Duhet të jemi në maksimumin tonë, që të arrijmë objektivin.
Tifozët? Ndeshjet luhen për ta, janë ata që jetojnë çdo ditë me futbollin dhe e ndjej në qytet këtë gjë. Ata janë më entuziastë kur skuadra ka performanca të mira. Mendoj se do të jenë të shumtë në numër. I garantoj se lojtarët që janë sot te Luftëtari do të japin shpirtin në fushë për të marrë tri pikët ndaj Teutës dhe në çdo ndeshje tjetër", përfundoi Ahmataj.