Futbolli në Shqipëri është ndalur për shkak të bojkotit nga Liga Profesioniste dhe presidentët e klubeve. Edhe pse kanë kaluar dy javë nga data zyrtare e rifillimit të Superligës, ekipet nuk kanë zbritur në fushë për të luajtur pasi kërkojnë plotësimin e 4 kërkesave nga ana e Qeverisë dhe nuk do të luajnë deri në momentin që të mbahen premtimet e dhënë një vit më parë. Një nga ata që ka kritikuar më shumë këtë vendim është edhe Zëvendëskryeministri Erion Braçe.
Në të gjitha daljet publike, por edhe në rrjetet sociale, Braçe kritikon ashpër presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Në një postim së fundmi, zv.kryeministri i ka kthyer përgjigje deklaratës së Dukës disa ditë më parë në “Opinion” teksa shprehej se Olsi Rama, drejtori i Partizanit dhe vëllai i Kryeministrit Rama paguhet 5 milionë lekë dhe taksohet për këtë rrogë që ai merr. Ndër të tjera, Braçe thekson se presidenti i FSHF-së me vendimin për bojkot po i mohon futbollin Shqipërisë.
“Po edhe po pastaj? E kuptoni mendjen e këtij apo jo? Se paguhesh në sport se je vëllai i Kryeministrit duhet të kesh tatim 0 për vite? Me mendjen dhe veprimet e këtij me gënjeshtrat e trasha të këtij, Shqipërisë po i mohoet futbolli”, shkruan Braçe në postimin e tij.