
Liridon Latifi nuk ishte prezent ditën e djeshme në fushën e lojës kundër Kukësit, duke rënë në sy munges e tij në të majtë të mesit të fushës. Mesfushori bardhekuq është parë në tribunën e stadiumit duke ndjekur ndeshjen. Por siç duket 22-vjeçari nga Prishtina nuk ka qenë pjesë e formacionit, jo për shkak të një dëmtimi, por sepse drejtuesit e Skënderbeut janë në negocime me disa ekipe të huaja për ta shitur. Anësori i majtë i mesit të fushës nuk ishte federuar fare për takimin e djeshëm, pasi skuadra kampione dëshiron ta shesë në çdo moment. Në qoftë se ai do të federohej për sfidën me Kukësin, do të ishte e vështirë për ta shitur deri në fund të gushtit, ose deri në merkaton e dimrit. Pritet të ndiqet me interes se si do të vijojë karriera e futbollistit të talentuar nga Prishtina, nëse do të qëndrojë ose jo te kampionët e Shqipërisë.