
Liridon Latifi ka dalë në konferencë për shtyp ku ka folur para mediave për "finalen" e madhe kundër Kukësit. Mesfushori i kampionëve është shprehur:
–Latifi edhe pak ditë dhe Skënderbeu luan në Kukës finalen e madhe të sezonit?
Është vërtet një ndeshje finale kjo e së shtunës dhe dimë shumë mirë që luajmë gjithë sezonin në vetëm 90 minuta. Kjo na motivon shumë ne si ekip dhe kemi vetëm një synim në këtë përballje, ta mbyllim me fitore dhe të sigurojmë në këtë mënyrë një tjetër titull kampion.
–Në fakt, Skënderbeu në Kukës ka vetëm një fitore historike, ndërkohë që Kukësi ju ka mposhtur plot 5 herë. E vështirë?
Fusha e Kukësit e dinë të gjitha skuadrat e kësaj superlige që është shumë e vështirë. Nëse ne kemi arritur një fitore deri tani, le t’i bëjmë dy ditën e shtunë. Mos harroni se atë një fitore që kemi arritur në Kukës ka qenë një ndeshje finale edhe ajo dhe edhe kjo e kësaj jave është finale dhe jam i bindur që sërish do ta fitojmë.
–Si po e përgatisni këtë ndeshje të kësaj fundjave dhe cili është ndryshimi me përgatitjet e ndeshjeve të tjera?
Nuk ka asnjë ndryshim me ndeshjet e tjera. Edhe kjo përballje në Kukës ka të njëjtat përgatitje. Ky vlerësim ka bërë që ne të kemi 9 fitore radhazi, pasi mos harroni se kemi 7 ndeshje që fitojmë në superligë dhe dy për kupë dhe kjo ka bërë që ne të jemi të përqëndruar në të gjitha stërvitjes. Edhe tani është i njëjti ritëm dhe e njëjta situatë përgatitjeje, madje me më shumë përqëndrim do të thoja.
–Sytë e gjithë korçarëve janë te ju në Kukës. Mendoni që vërtet do ja dilni?
Normale që do ja dalim. Madje personalisht premoj që do të jap 110% në këtë ndeshje, pasi vendos shumë dhe të gjithë duhet të japim më shumë nga vetja jonë.
–Latifi, si mendoni Skënderbeu do të luajë i tërhequr në këtë përballje, apo do të luajë në sulm, pasi nuk ka se ç’farë të humbasë?
Skënderbeu do të bëjë lojën e vet dhe asgjë më shumë se kaq. E vetmja gjë negative për ne është fusha që ka bar sintetik dhe ne jemi një skuadër që luajmë poshtë me topin. Por, pavarësisht kësaj do ja dalim.
–FSHF-ja nuk pranoi kërkesën e klubit tuaj për gjyqtarë të huaj. Do të luhet me gjyqtarë shqiptarë ku përflitet Enea Jorgji. Ju shqetëson ky fakt?
Jo nuk na shqetëson aspak një gjë e tillë. Në fakt, nuk e kam menduar dhe nuk e kemi menduar këtë punën e gjyqtarit, pasi për këtë mendon presidenti dhe drejtuesit. Ne na duhet të japim më të mirën dhe të fitojmë, pastaj të tjerat janë gjëra që pak i mendojmë ne në fushën e lojës.
–Do t’i falnit 11 golat që keni shënuar në këtë sezon, në rast se shënoni një gol vendimtar në Kukës?
Padiskutim që do t’i falja të gjitha golat që kam shënuar, jo për një gol në Kukës, por edhe për një fitore minimale dhe kushdo ta shënojë golin nga ne, vetëm të fitojmë.
–Keni folur shumë për këtë ndeshje të së shtunës. Sa shanse ka Skënderbeu dhe sa shanse ka Kukësi për të qenë fitues?
Mendoj që shanset janë 50% me 50%. Gjithmonë një ndeshje e tillë kaq e madhe ka shanse të barabarta. Kush të jetë më i zoti le ta marrë në fushë, por unë e theksova edhe më sipër që mendoj se do të jemi ne ata që do ta tregojmë veten se kush jemi.
–Edhe dy stërvitje deri të shtunë, të mjaftueshme për të qenë gati për këtë 90 minutësh?
Them se edhe sot nese do të luhej kjo ndeshje do të ishim gati. Normalisht që edhe dy ditë më shumë na shërbejnë, pasi jemi disi të lodhur, por edhe një “pengesë” e madhe na ka mbetur dhe e kryejmë ç’ështjen e titullit kampion, prandaj që mezi e presim këtë takim.
–Skënderbeu vjen në këtë ndeshje pas 7 fitoreve radhazi. Kjo do të thotë se nuk do të ndaleni?
Nuk kemi 7 por 9 fitore radhazi, mos harroni pasi janë edhe ato të Kupës. Kjo na motivon edhe më shumë për të shtuar numrin e fitoreve dhe për të merrituar një tjetër trofe kaq të madh të superligës.
–Do të keni një stadium të tërë kundër. Mos ndoshta është ky një plus për Kukësin?
Jo aspak, ky është një plus më shumë për Skënderbeun. Kur ke një stadium të tërë kundër sigurisht që kjo të motivon edhe më shumë dhe ky është mentaliteti im dhe i njoh edhe shokët e skuadrës dhe padiskutim që një gjë e tillë do të na motivojë maksimalisht.
–Së fundi, cila është dëshira e Latifit në këto dy javë të fundit, pa thënë se është për t’u luajtur edhe finalja e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës?
Për momentin dëshira ime e vetme është të fitojmë në Kukës dhe të jemi vetëm një ndeshje larg trofeut të titullit kampion. Sa për kupën ka kohë të mendojmë dhe as që e kemi në mendje për momentin. Të gjitha bateritë do t’i shkarkojmë vetëm në Kukës.
Marrë nga kfskënderbeu.al