Ylli Shameti ishte i ftuar në emisionin “Ora Skaner” në Ora News. Qendërmbrojtësi i Kukësit foli me superlativa për sulmuesin e Partizanit Kaleb Ekuban, për të cilin deklaroi se lojtarë si ai kishin kohë që s’kishin ardhur në Shqipëri. Përgjatë gjithë javës, ai zbuloi se si ishte përgatitur për të markuar Ekubanin dhe herë pas here ishte këshilluar me shokun e skuadrës, qendërmbrojtësin Albi Alla.
“Kaleb Ekuban është një lojtar shumë i mirë. Unë mendoj se ai e ka bërë mirë punën e sulmuesit. Përgjatë gjithë javës jemi përgatitur si ta markojmë, pasi është lojtar që i ka të gjithë cilësitë. Shkathtësi, shpërthim, përdor të dyja këmbët dhe kërcen shumë. Jam konsultuar me Albin dhe jemi përgatitur shumë për ta markuar. Mendoj se Ekuban mund ta bëjë shumë mirë edhe rolin e sulmuesit të parë”, deklaroi Ylli Shameti.