
Sadio Mane ka premtuar një sezon ndryshe për tifozët e Liverpool. Një nga lojtarët më të mirë në botë ka pranuar dështimin në edicionin e kaluar, megjithatë shprehet optimist për të ardhmen.
Ai thekson se në aspektin personal gjithçka ka ndryshuar për mirë dhe është gati të japë maksimumin për ekipin anglez. Në një prononcim të dhënë për mediet britanike, Mane ka thënë:
"Nuk ishte sezoni im më i mirë, e di këtë. Siç e kam thënë gjithmonë, mund të ndodhë në futboll, por mendoj se nuk do të jetë njësoj sezonin e ardhshëm. Jam më i gatshëm, mendërisht, fizikisht, gjithçka, kështu që mendoj se do të jetë një sezon emocionues në aspektin personal".
Në sezonin e shkuar, 29-vjeçari u aktivizua në 35 ndeshje duke arritur të realizojë 11 gola. Ky do të jetë edicioni i gjashtë që senegalezi kontribuon për fanelën e Liverpool.