
Vllaznia është duke zhvilluar fazën përgatitore në Ulqin, në Mal të Zi. Vetë trajneri Cungu pak ditë më parë deklaroi se kërkonte shtyrjen me disa ditë të qëndrimit në Ulqin për të vazhduar me stërvitjen e ekipit, por duket se gjendja nuk paraqitet e mirë.
Dje, Bicaj është rikthyer në Shkodër për shkak se ishte prekur nga virozat e stinës dhe ka zgjedhur të lërë ekipin për t'iu nënshtruar një terapie të veçantë për të kaluar gjendjen jo të mirë shëndetësore.
Sot, mësohet, se nga virozat e stinës janë prekur dhe disa lojtarë të tjerë të ekipit, duke çuar në ndryshimin e axhendës që ishte parashikuar nga trajneri Cungu për shtyrjen me disa ditë të qëndrimit në Ulqin.
Ekipi do të rikthehet nesër në Shkodër, për të vazhduar në Shqipëri pjesën e mbetur të pushimeve, kjo dhe për një tjetër arsye, kushtet e papërshtatshme atmosferike në Mal të Zi.