
Erion Xhafa ka analizuar situatën e Kategorisë Superiore me katër skuadrat që janë në garë për titullin kampion. Trajneri i njohur në panelin e emisionit "Gol pas Goli" vlerësoi maksimalisht skuadrën e Vllaznisë.
Foli për Teutën, si dhe i thuri lavde Partizanit për mënyrën se si luan në fushë. Në fund u ndal te Laçi, ekip që ka pasur probleme me skuadrat e vogla.
"Tani po të bësh analizën e skuadrave, çdo ekip ka karakteristika të ndryshme. Vllaznia ka prodhuar futbollin më të mirë. E meriton aty ku është e ndoshta më shumë.
Teuta është një nga skuadrat më solide dhe më të vështira për t'u mundur. Është e vështirë t'i shënosh gol. Është ekip cinik.
Partizani ka pasur disa luhatje të vogla, është me stabilitet. Ka logjikë loje shumë të mirë sa herë e shikon.
Laçi u ndërtua për titull, por ka pasur problem me ekipet e vogla", tha ai.