Erhun Obanor është një nga lojtarët e shndërruar në titullar absolut në radhët e skuadrës së Kukësit. Qendërmbrojtësi nigerian është vlerësuar maksimalisht nga trajneri Shpëtim Duro që i ka besuar një vend në prapavijë. 24-vjeçari u afrua te nënkampionët në merkaton e verës teksa ishte pjesë e ekipit të Rudes në Kroaci. Në 36 javë të luajtura, në 21 të tilla ai ishte pjesë e formacionit titullar të skuadrës së tij.
Nëse në vendin tonë po shkëlqen, vjet Obanor u detyrua të shihte topin në portën e ekipit të tij plot 80 herë. Përfundimi? Skuadra e Rudes ra nga kategoria, ndërsa Obanor zgjodhi të vinte në Shqipëri për të kontribuar me Kukësin. Situata për të ka ndryshuar pasi Superliga e vendit tonë s'është në të njëjtin nivel me atë kroat dhe te nënkampionët me siguri 24-vjeçari ndihet më komod.
