Lojtarët e skuadrës së Tiranës kanë qenë sot në spitalin “International Turkish Hospital”. Futbollistët bardheblu i janë nënshtruar vizitave rutinë për edicionin e ri futbollistik.
Lajmi bëhet i ditur në kanalin zyrtar të kryeqytetasve ku veç të tjerave, tregohej se së shpejti do të nisë faza përgatitore. Në lajmërimin e klubit bardheblu thuhej:
“Tirana hap sezonin e bashkëpunimeve me partnerin më të ri. International Turkish Hospital është tashmë pjesë e rëndësishme e klubit në mbarëvajtjen e sezonit të ri. Spitali do të mbajë nën lupë gjendjen fizike të futbollistëve duke u siguruar në cdo moment që ata të jenë të shëndetshëm dhe në formën e tyre më të mirë.
Me teknologjitë më moderne, një staf të kualifikuar profesionistësh, si edhe me vendndodhje efikase në zemër të Tiranës; ITH hapi sot dyert për të pritur ekipin e parë duke i ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme laboratorike përpara startimit të fazës përgatitore. Ne jemi krenarë dhe mirënjohës që në rradhët e partnerëve tanë shtohet emri i një spitali prestigjoz si International Turkish Hospital”.