
Shefi i garave në FSHF, Lysien Nurishmi, ka treguar për kanalin zyrtar të FSHF në Youtube risitë e sezonit të ri futbollistik.
Një ndryshim ëshë në rregulloren e aktivizimit të futbollistëve me ekipin e parë dhe me ekipet B dhe moshat. Ndryshimet në rregullore mbi këtë pikë do të mësohen kur të publikohet rregullorja e sezonit të ri.
Ndryshimi tjetër do të jetë se në uniformat e ekipeve të Kategorisë Superiore, më saktë në mëngët e bluzave, do të stampohet stema e Kategorisë Superiore për të rritur nivelin e brandizimit të kampionatit elitar të futbollit shqiptar. Gjithashtu pas çdo takimi deklaratat për mediat do të jepen para një stene ku do të jenë të reklamuar sponsorat e klubit përkatës dhe gjithsahtu do të jetë e pranishmë stema e Kategorisë Superiore.
Risi ka edhe për Kategorinë e Parë teksa krahas ndryshimit të formulës së fazës së tretë, ku cdo grup i Kategorisë së Parë do të ndahet në 2 nëngrupe dhe pikët e ekipeve do të përgjysmohen për të forcuar garën e ndershme, do të ketë edhe transmetim televiziv të drejtpërdrejtë për 2-3 ndeshjet më të rëndësishme të javës nga TVSH.