
Vllaznia luan të enjten në orën 21:00 përballë Craiovas, ndeshjen e parë të vlefshme për turin e dytë të Conference League. Kundërshtar në “Loro Boriçi” do jetë skuadra që përfaqëson Rumaninë. Me mijëra tifozë priten më 21 korrik në stadium.
Klubi i Vllaznisë zhvilloi sot një konferencë për shtyp në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”, ku bashkë me përfaqësues të policisë dhe aktorë të tjerë vendorë që merren me mbarëvajtjen e sigurisë, treguan masat që do merren.
Organizimi duket të jetë model, pasi mobilizimi është i madh dhe kjo ndeshje konsiderohet e një rëndësie të veçantë. Kuqeblutë duan të parandalojnë incidentet që sjellin më pas penalizimin e klubit. Kështu u përmend mbylljen e disa akseve rrugore, moslejimi i parkimit të makinave në parametrin e stadiumit, kontrolle të imtësishme për moslejimin e mjeteve të palejuara në stadium.
Më tej u tha se plani po shtjellohet dhe më konkretisht gjithçka do bëhet e ditur ditët në vijim. Krah mijëra tifozë shkodranë në stadium do jenë të pranishëm dhe rumunë në mbështetje të Craiovas.
“Në kuadrin e masave organizative të ndeshjes Vllaznia- Universitatea Craiova, sot pasdite është organizuar edhe një konferencë për shtyp ku kanë marrë pjesë z. Behar Kraja, shef i sigurisë pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër, z. Ardian Zaganjori, shef i sigurisë i KF Vllaznia dhe z. Artan Brahimi, oficer i organizimit të ndeshjes. Ata kanë folur përpara gazetarëve për masat e sigurisë që po merren në mënyrë që gjithçka të shkojë ashtu si duhet në këtë ndeshje, për të parandalur sjelljet e gabuara të tifozëve siç ka ndodhur më përpara”, shkruan klubi i Vllaznisë në rrjetet sociale.