Dorian Tahirllari është futbollist i Skënderbeut U-17. Një sëmundje e rëndë i preu në mes ëndrrën e madhe për t’u bërë lojtar i njohur, pse jo në një të ardhme të luajë në kampionatet elitare. Pas shumë përpjekjesh, i riu korçar arriti t’ia dilte duke mposhtur tumorin në shpinë dhe stomak. Megjithatë ai ka ende nevojë për ndërhyrje, pasi së fundmi është diagnostifikuar me tumor në veshka.
Familja e tij është në pamundësi ekonomike për të shëruar plotësisht djalin e tyre, ndaj kërkohet mbështetje financiare nga të gjithë ata që kanë mundësi në këtë situatë të vështirë. Në një prononcim për News 24, në tetor të 2019-tës, e ëma tregonte gjendjen e Dorianit, ndërsa në fund është vetë ai që emocionon teksa shprehej: “Gjatë gjithë kësaj kohe kam kaluar shumë vështirësi. Edhe pengu im më i madh është stërvitja. Dua të kthehem sa më parë”.
Doriani luan ndeshjen finale në jetën e tij. Ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrje të fundit kirurgjikale, por për këtë duhet një ndihmë sadopak e vogël financiare, në mënyrë që të dalë triumfator nga “fusha”.
