
Është mbyllur Skënderbeu 2-1 Bylis. Sfida e javës së 30 të Superligës vlente për zonën e mbijetesës, me korçarët që janë afruar vetëm tri pikë larg ballshiotëve që janë në zonën e ndeshjes shtesë.
Sfida ka qenë me dy fytyra në secilën pjesë. Në 45 minutëshin e parë, sfida ka qenë me mjaft raste, aty ku janë shënuar edhe tre gola. Do duhej Desancic që në të 34 minutë do hapte ndeshjen, duke kaluar miqtë në avantazh.
Për vetëm dy minuta, mes minutave të 42 dhe 44 Skënderbeu do përmbyste gjithçka me Vangjelin dhe Berishën, duke siguruar tri pikë. Pas 30 javësh, Bylis mban vendin e tetë me 29 pikë, ndërsa korçarët janë një vend më poshtë me 26 pikë.
Për Gol pas Goli, trajneri i Bylis, Veljko Dovedan tha:
"Ç'ndodhi pas golit të avantazhit? Ne shënuam golin e parë, bëmë edhe gol tjetër që na dhanë offside dhe nuk kemi ç'themi. Ndikoi edhe faktori fushë.
Goli i Beji dhe pozicioni jashtë loje? Është i rregullt. Ne e dinim që do ndodhte, e dinim që do na ndëshkonin kështu nuk është më diçka e çuditshme. Nuk është hera e parë. Çdo ndeshje që kemi pasur fitore me çdo kusht kemi hasur probleme.
Pse ndodhin këto? Nuk e di. Di që në çdo ndeshje na kanë bërë këto gjëra kur kemi dashur fitoren", tha Dovedan.