Vllaznia barazoi 1-1 me Universitatea Craiova në “Loro Boriçi”. Në një stadium me mbi 10 mijë tifozë, shkodranët ditën të tregojnë cilësitë në turin e dytë të Conference League.
Ndeshja nisi mirë për miqtë, që fituan disi terren në fushë. Me kalimin e minutave kuqeblutë ia dolën të balanconin lojën, duke pasur disa raste por pa konkretizuar.
Do duhej minuta e fundit e pjesës së parë, kur arbitri irlandez Mclaughlin do jepte një penallti bujare për Craiova, me Ivan që do e ndalte në rrjetë, paçka se Zogovic kuptoi krahun.
Në pjesën e dytë trajneri Josa diti të lëvizë “gurët”, duke hedhur në fushë Markun dhe Hoxhaj. Do ishte kjo dyshe që në të 51 minutë do vendoste ekuilibrat, me Markun që bëri kamerierin për Hoxhaj.
Pjesa e mbetur e lojës kishte raste për të dyja skuadrat, me 90 minutat e para që u mbyllën 1-1. Tanimë fokusi i Vllaznisë do jetë një javë më vonë në Craiova, në transfertën rumune të kthimit.
Pas ndeshjes për RTSH foli heroi i kuqebluve, golashënuesi Ardit Hoxhaj.
“E nisëm ndeshjen me shumë autoritet, por u ndëshkuam nga një episod i pafat si penalltia. Megjithatë reaguam mirë dhe shmangëm humbjen, ndërsa javën e ardhshme do të luajmë shanset tona në Rumani. Ne kemi treguar se dimë të luajmë futboll ndaj çdo kundërshtari, ndaj shpresoj që me pak fat t’ia dalim”, tha Hoxhaj.