
Bylis dhe Partizani do të përballen këtë të shtunë, në kuadër të javës së 5-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Adush Muça”, do të nisë në orën 16:00. Në prag të këtij takimi, në konferencë për shtyp ka folur trajneri i të kuqve, Mladen Milinkovic.
Si paraqitet gjendja ekipit përpara takimit ndaj Bylis?
Situata është e njëjtë si një javë më parë. Vazhdojmë të kemi lojtarë të dëmtuar, sigurisht disa prej tyre mund të jenë në gjendje më të mirë por nuk janë të gatshëm për ndeshje. Padyshim nuk duam të rrezikojmë me ta pasi do të ndryshojmë edhe fushë dhe është pak e vështirë të luajmë nga terren artificial në një me bar natyral. Fokusi ynë patjeter është tek ata që do të luajnë sepse edhe ata përfaqësojnë Partizanin ndaj gjithë përqendrimi ynë do të jetë te ata që do të luajnë nesër.
Çfarë pritet të ndryshoni nesër për të arritur fitoren?
Pikë së pari Partizani duhet të shënojë. Kjo është më e rëndësishme dhe më e vështira si pjesë e lojës. Për mua në ndeshjen me Elbasanin luajtëm mirë veçanërisht në pjesën e parë patën shanse të mira , por nuk arritëm të shënonim gol dhe ky është problemi ynë. Patjetër në pjesën e dytë gjërat u vështirësuan me kartonin e kuq edhe pse mbetëm me 10 lojtarë u munduam të barazonim rezultatin. Këtë gjë u kam thënë edhe lojtarëve, nëse vazhdojmë me të njëjtën qasje patjeter që edhe rezultatet do të vijnë. Mbase në ndeshjet e para nuk ishim në formën optimale, por ndeshjen e fundit luajtëm, treguam futboll por ishim të pafat që nuk shënuam. Jam i sigurtë që kur skuadra të shënoj gola, nga ai moment ky ekip do të çlirohet edhe psikologjikisht dhe do jetë më e lehtë edhe për lojtarët.
Ne ende nuk jemi në nivelin që kërkojmë të jetë Partizani. Fillimisht Partizanit në këtë moment i nevojiten pikët , por gjithashtu si një klub i madh Partizani duhet edhe të luajë një futboll të bukur. Mbaj mend ditën e parë që më pyetët çfarë do ti premtoni tifozëve të Partizanit dhe unë u përgjigja që mund ti premtoj vetëm që në çdo ndeshje do të luftojmë për 3 pikët. Në këtë pikë ne kemi luftuar por gjithashtu nuk është mjaftueshëm për një klub si Partizani. Duhet të dhurojmë ndeshje të bukura dhe duhet të shënojmë gola. Nuk mjafton vetëm një gol që të fitosh ndeshjen 1 – 0 sepse tifozët e Partizanit kërkojnë më shumë. Kemi shumë punë për të bërë sepse nëse ju kujtohet në ndeshjen e parë pas minutës së 60-të kemi rënë fizikisht dhe mbase të gjithë e shohin që në këtë aspekt jemi më mirë nga çkemi qenë 1 muaj më parë. Mbase në aspekte të tjera tekniko- taktike sidomos tek pjesa e shënimit jemi shumë larg pritshmërive ose asaj që duam.
Një arsye tjetër është që ne nuk kemi filluar një ndeshje me të njëjten 11-she. Patjetër që çdo kush jasht klubit ka të drejtë të shprehë opinionin e vet, por kur je brenda gjërat janë edhe më të vështira dhe ne kemi bërë shumë ndërrime mbase të detyruara. Ndryshimet kanë qenë si pasojë e demtimeve, skualifikimeve me kartonë por besoj që me një rezultat pozitiv gjithçka mund të ndryshoj. E respektojmë Bylis e kam ndjekur jo vetëm këtë vit por edhe vitin që kaloj. Mbase të gjithë menduan që do të binin nga Kategoria por ata bën befasinë dhe e merituan qëndrimin pasi kanë bërë ndeshje shumë të mira. Ata e kanë provuar që e meritojnë të jenë në kategorinë superiore sepse po ti shikoni rezultatet kanë vetëm një humbje me Egnatian, barazuan me Dinamo Cityn me një lojtarë më pak.
Jeni në presion psikologjik ju dhe skuadra pas 2 humbjeve?
Mënyra më e mirë për të larguar presionin është të fitosh dhe marrësh 3 pikët. Kur punon në një klub të madh gjithmonë je nën presion edhe nëse merr rezultate të mira apo kur nuk luan mirë do të kesh kritika. Kjo është pjesë e punës tonë. Unë nuk ndjehem nën presion, jam i zhgënjyer sepse në këto 4 ndeshje prisja më shumë pikë për Partizanin. Kur je trajner është energjia që i trasmeton lojtarëve dhe ne për këtë mundohemi që të jetë pozitive. E njëjta gjë vlen edhe për sulmuesit mundohemi që ta trasmetojmë këtë energji dhe ndeshjen e nesërme të shënojmë gola.
Zëvendësimet e Gudjufit dhe Bintsoukas në ndeshjen ndaj Elbasanit –
Besoj që e dini që Bintsouka ka 3 muaj jasht dhe për 1 muaj është e vështirë ta sjellësh në 100 % të formës së tij optimale. Përsa i përket Gudjufit kishte të bënte më shumë me pjesën e dëmtimit , por patjetër që Bintsouka dhe Gudjufi kur të jenë në 100 % e tyre do të jenë ndihmë e madhe për ne.