Profesori dhe ish-futbollisti Pandeli Opingari, i cili njihet në qytetin e Vlorës me nofkën “Pompeo”, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve. Ai ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare pasi tre ditë më parë u përplas nga një mjet tip “Audi” në qytetin e Vlorës.
Ndonëse mjekët prej orësh u përpoqën që ta shpëtonin, ai nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra duke mbyllur përgjithmonë sytë këtë të diel.
Pandeli Opingari njihej nga të gjithë si një njeri korrekt dhe e donte punën e tij. Profesori “Pompeo” ashtu si dhe të gjithë e thërrisnin, ka qenë mësues i edukimit fizik, sportist i viteve të arta ’60–’70 me fanellën e Flamurtarit, trajner dhe për shumë shembulli i qytetarit model.
Kontributi i tij në futbollin vlonjat do të mbetet i paharruar. Në fushë dhe jashtë saj, profesor “Pompeo” ishte gjithmonë një pikë referimi për breza të tërë sportistësh: njeri i fjalës, i qetë, i drejtë dhe i respektuar nga të gjithë.
Lidhur me këtë lajm të trishtë ka reaguar edhe ekipi i Flamurtarit të cilët i kanë përcjellë ngushëllime familjarëve të profesorit dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin, të stërviten dhe të punojnë me të.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë se sot është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare Pandeli Opingari, i njohur nga komuniteti sportiv vlonjat me nofkën “Pompeo”.
Pandeli Opingari ka qenë një nga sportistët e hershëm të Flamurtari Football Club, duke dhënë kontributin e tij për klubin në vitet 1950-1960. Ai do të mbahet mend për përkushtimin, pasionin dhe dashurinë e tij për Flamurtarin dhe sportin vlonjat”, thuhet në reagimin e ekipit.
Homazhet do të zhvillohen ditën e nesërme, në orën 11:00, në Stadiumin “Flamurtari”.
