Robert Jashari feston sot ditëlindjen e tij të 80-të. Ish-futbollisti i Partizanit dhe i Kombëtares ka marrë një urim special nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe veçanërisht nga presidenti Armando Duka. Përmes një postimi në faqen zyrtare në facebook, FSHF-ja uronte Jasharin:
"Futbollisti i njohur i Partizanit dhe i ekipit kombëtar të Shqipërisë, në vitet 1950-60, Robert Jashari, feston sot 80-vjetorin e ditëlindjes. Federata Shqiptare e Futbollit dhe i gjithë komuniteti i sportit më të dashur, e uron atë me rastin e këtij jubileu. Veçanerisht Presidenti Armand Duka, i ka përcjellë këtë mesazh urimi golashënuesit të njohur: “Në emër të të gjithë komunitetit të futbollit shqiptar dhe institucionit të Federatës, dëshiroj t’ju sjell juve i nderuar Robert, urimet më të mira për këtë jubile të rëndësishëm. Kontributi juaj si futbollist i Partizanit dhe i ekipit kombëtar të Shqipërisë, është vlerësuar dhe do të vazhdojë të vlerësohet në vazhdimësi nga sportashësit dhe institucioni i futbollit. Ky kontribut, tashmë i takon historisë së futbollit shqiptar”.
Robert Jashari ka qenë futbollist i shquar i Partizanit në vitet 1950-60. Pjestar i një brezi të jashtëzakonshëm futbollistësh, të cilët shkëlqyen gjatë periudhës në të cilën luajtën. Anëtar i ekipit kombëtar. Shënues i golit të parë të Shqipërisë, për eliminatoret e një Kampionati Botëror, në Belfast kundër Irlandsë së Veriut, më 1965. “Këpuca e Artë “ për 3 sezone rradhazi, si golashënuesi më i mirë ne edicionet 1962-65.Me një kontribut të veçantë edhe në fushën e trajningut ku ka drejtuar me sukses disa skuadra.
Robert Jashari është vlerësuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar”, ishte urimi për ish futbollistin e Partizanit dhe Kombëtares.