Jurgen Goxha është lojtari më i ri i Egnatias. Qendërmbrojtësi i rrogozhinasve shprehet i lumtur për aventurën e tij të re në kampionatin shqiptar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka falënderuar presidentin Agim Demrozi për besimin. Në facebook-un e vet, Goxhaj shkruan:
“Aventurë e re, objektiva të rinj! Falënderoj presidentin për besimin dhe bindjen për 1 projekt ambicioz. Forca Egnatia!”
Goxhaj njihet mirë nga Edlir Tetova, i cili e ka trajnuar gjatë kohës kur të dy kanë qenë te Tirana. Sot, qendërmbrojtësi do të vihet sërish nën urdhrat e tij, teksa me Egnatian ka firmosur një kontratë afatgjatë për 3 sezonet e ardhshme. Eksperienca dhe cilësitë e Goxhajt në qendër të prapavijës e bëjnë atë një futbollist të rëndësishëm.
29-vjeçari durrsak ishte në sezonin e fundit pjesë e Sabail në Azerbajxhan, ndërsa më parë ka luajtur për skuadra si Bylis, Tirana, Erzeni, Shënkolli, Besëlidhja dhe Iliria e Fushë Krujës. Shtatlarti do të nisë menjëherë nga puna duke vënë në dispozicion gjithë potencialin e tij për Egnatian.
